Home Kulturë Studim për himnin kombëtar shqiptar: “Rreth flamurit të përbashkuar”

Studim për himnin kombëtar shqiptar: “Rreth flamurit të përbashkuar”

11 min read
0
0
49
kujtesa

Ilustrim

Ilustrim

26.10.2021 • 13:59

Nga: Vasil Tole

Qysh në fillim do të theksonim faktin, se problemi i shqyrtimit të historisë së krijimit të himnit tonë kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” (apo qoftë edhe i bërjes ose jo të një himni tjetër), janë para së gjithash probleme për t’u diskutuar dhe rrahur nga muzikologjia shqiptare. Pohimi i këtij momenti në hyrje të shkrimit tonë ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç do të shohim më poshtë, mungesa e analizave, debateve artistike dhe problemore mbi lëndën në fjalë, në më të shumtën e rasteve ka sjellë shtrembërime dhe keqkuptime të pavend lidhur me sa më sipër. Për këtë arsye, por dhe për disa të tjera syresh, jemi përpjekur që nëpërmjet këtij shkrimi integral lidhur me himnin tonë kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” të shprehim të ç`ka dimë deri më sot rreth njërit prej simboleve tona kombëtare.

HYRJE

Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shekullit XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qënë në këtë shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky lloj formimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve.

Muzikologjia daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 – “Wilhelmus van Nassouwe”. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shekullit IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim është “Marcha de la Patria”, i Argjentinës, i kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë etj.

Pra, siç e shohim, historia e formimit të himneve kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme. Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në historinë e një vendi. Por, ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet “Marcia Pontificiale” dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë [1].

HISTORIKU I KRIJIMIT TË HIMNIT TONË KOMBËTAR

Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar ‘Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij’” [2], Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollësi lidhet me faktin e thjeshte se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: “…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.

Nga këto radhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashtë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thënë: “buxhakun para oxhakut”. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull “Kënga që s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.

Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin “The Guinnes Book of Music” [3], është shkruar si më poshtë:

• himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912
• fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni
• muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku

Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vërteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

Load More Related Articles
Load More By Vicianapress
Load More In Kulturë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Inter – Liverpool: Statistika, analizë, formacionet e mundshme dhe parashikim

5 min Interi dhe Liverpooli do të luajnë mes vete në ndeshjen e zjarrtë të vlefshme për fa…