Home Kulturë Lufta e Parë Botërore dhe shqiptarët e boshnjakët në uniformën serbe

Lufta e Parë Botërore dhe shqiptarët e boshnjakët në uniformën serbe

8 min read
0
0
27
kujtesa

Foto: Ilustrim (trupat austro-hungareze në Beogradin e pushtuar)

Foto: Ilustrim (trupat austro-hungareze në Beogradin e pushtuar)

30.10.2021 • 10:04 / E përditësuar

Nga: Tomislav Markoviq /Al Jazeera (Titulli origjinal: “Heronjtë e panjohur: Shqiptarët dhe boshnjakët në uniformën serbe”)
Përktheu: Telegrafi.com

Frazën mjaft të njohur se hapësirat tona vuajnë nga teprica e historisë, mbase duhet ta zëvendësojmë me një tezë paksa më modeste – se vuajmë nga teprica e keqkuptimeve për të kaluarën.

Po, këto vendet tona janë pushtuar me më shumë histori seç mund të durojë një njeri i gjallë. Por, është më e padurueshme se si falsifikohet ajo që ndodhi, se si ajo përshtatet me stereotipat nacionalistë dhe se si ekspozohet ndaj rishikimeve të pamëshirshme aq sa nga faktet nuk lihet asnjë gur pa lëvizur. Në këtë punë të rishkrimit të së shkuarës, sipas qasjeve ideologjike, prej dekadash marrin pjesë historianë, intelektualë të drejtimeve të ndryshme, si dhe përfaqësues të zellshëm të elitave politike.

Fatmirësisht, ka edhe historianë që kujdesen për faktet dhe për imazhin e vërtet të së kaluarës; nga ata që me përpjekjet e tyre të vlefshme përpiqen të korrigjojnë stereotipat e grumbulluar dhe keqkuptimet për kohët e shkuara.

Me këtë qasje u shkrua libri i shkurtër “Mes diskriminimit dhe integrimit të paplanifikuar: Shqiptarët dhe boshnjakët në uniformën serbe, 1914-1918”, botuar vitin e kaluar nga Qendra për Studime Historike dhe Dialog. Autorë të këtij botimi në tri gjuhë (serbisht, shqip dhe anglisht) janë historianët e brezit të ri, Danilo Sharenac dhe Aleksandar R. Miletiq.

Dyshja e historianëve e nisi punën nga falsifikimi që u lansua në vitin 2014, nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomislav Nikoliq. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në përkujtimin e njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore në Belgjikë, në Ipre, meqë ishte planifikuar që në atë manifestim përkujtimor të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës.

Zyra e presidentit njoftoi edhe arsyet e heqjes dorë nga kjo. Sipas tyre, “minoriteti shqiptar nuk ka pasë asnjë rol në Luftën e Parë Botërore, për t’i renditur ata në mesin e fituesve e për t’i trajtuar njëjtë me Serbinë”. “Veçernje Novosti” menjëherë i pyeti historianët se çfarë mendonin për këtë ndodhi të pakëndshme dhe ata u përgjigjën njëzëri se shqiptarët nuk kontribuuan në fitoren e aleatëve, në Luftën e Parë Botërore. Kështu, për shembull, historiania Mira Radojeviq ka shkruar:

“Me siguri që shkencëtarët dhe historianët nuk kanë të dhëna për kontributin e shqiptarëve të Kosovës në betejat e aleatëve në Luftën e Madhe, meqë kontributi i tyre as që ka ekzistuar. Nuk ekziston”, teksa ftesën e Kosovës për ta shënuar njëqindvjetorin e interpretoi si “fyerje tjetër të madhe për Serbinë”.

Sharenaci dhe Miletiqi theksojnë se “opinioni profesionist serb ka qëndrim të ngjashëm ndaj rolit që kanë luajtur paraardhësit e boshnjakëve të sotëm në Luftën e Parë Botërore”, dhe e përmbledhin thelbin e qasjes së të tillë tek “Vecernje Novosti”“Përfundimet a priori, në bazë të premisave të intolerancës etnike, janë dhënë në vend të analizave të pavarura dhe burimeve historike”:

Pasojat e trajtimit të tillë të çoroditur të historisë janë katastrofale: “Lënia anash e kërkimeve të kësaj teme dhe të tjerave të ngjashme në fushën e marrëdhënieve ndëretnike, kontribuon në fitoren e harresës, por gjithashtu lanë vend për interpretime mitologjike, ekstreme dhe joshkencore”.

Sharenaci dhe Miletiqi kujtojnë se pas Luftërave Ballkanike, banorët e të ashtuquajturës Serbia e Vjetër (Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku) ishin qytetarë të dorës së dytë. Për ta vlente “Kushtetuta e shkurtuar” e parashikuar me dekretin mbretëror të nëntorit 1913.

“Gjysma e neneve kushtetuese që ishin në përdorim në pjesën tjetër të vendit, u hoqën nga kjo Kushtetutë”, shkruajnë autorët. Ndër ato nene ishin ato që e rregullonin lirinë e shtypit, të drejtën për të organizuar mitingje politike, të drejtën e votës së qytetarëve, si dhe kompetencat legjislative të Kuvendit Kombëtar (procedurat e zgjedhjes dhe të autorizimit të vetëqeverisjeve lokale dhe komunale, si dhe dispozitat që garantojnë paanshmërinë e autoriteteve gjyqësore dhe rregullsinë e procedurave gjyqësore).

Load More Related Articles
Load More By Vicianapress
Load More In Kulturë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Inter – Liverpool: Statistika, analizë, formacionet e mundshme dhe parashikim

5 min Interi dhe Liverpooli do të luajnë mes vete në ndeshjen e zjarrtë të vlefshme për fa…