Home Kulturë Beteja e 22 korrikut 1924: Prite Azem Galicën

Beteja e 22 korrikut 1924: Prite Azem Galicën

5 min read
0
0
44

17.03.2021 • 15:40

Roland Qafoku

Nëse Serbia e mbajti për afro 100 vjet Kosovën, gjatë këtij shekulli ajo tokë është larë me gjakun e burrave dhe grave që luftuan me armë në dorë kundër reprezaljeve dhe gjenocidit. Kështu ndodhi atë të martë të nxehtë të 22 korrikut të vitit 1924, kur plumbi i dalë nga pushka e një serbi e plagosi rëndë Azem Galicën për t’i shkaktuar vdekjen katër ditë më vonë.

SKENA E VRASJES

Pas mesit të natës së 21 korrikut 1924, rreth dymijë ushtarë të shoqëruar me 12 topa të ushtrisë jugosllave ia behën në Kosovë duke sulmuar fshatrat Galicë, Mikushnicë dhe Lybavec. Objektivi ishte asgjësimi në masë i shqiptarëve që i kishin rezistuar pushtetit serb.

Mes tyre objektivi kryesor ishte vrasja e Azem Galicës dhe trimave të tij, prandaj rrethimi i kullës së tij ishte pjesa më e rëndësishme e planit të këtij sulmi. Por, edhe pse të papërgatitur, rezistenca e Azem Galicës dhe e gjithë trupave të tij, të mbështetur nga e gjithë popullsia e zonës, ishte heroike. Gjatë luftimeve një plumb e goditi në shpatullën e djathtë, por plaga nuk ishte e rëndë dhe ai vazhdoi luftimet, edhe pse ishte plagosur.

Pas tetë orë luftimesh me 84 trima të vrarë kundrejt 94 serbëve të vrarë, Azem Galica me bashkëshorten e tij Shotën, dhe trimat, arrijnë të gjejë një shteg për t’iu shmangur rrethimit. Ishte ora 16:00 e 22 korrikut 1924 kur dy xhandarë po e ndiqnin nga pas, duke qëlluar në drejtim të tij.

Një plumb tjetër goditi gjerdanin e fishekëve rezervë që mbante në brez dhe kjo shkaktoi shpërthimin e barutit të disa fishekëve, duke i sjellë dëmtim të rëndë të shtyllës kurrizore. Që nga ky moment Azem Galica ishte i paralizuar.

I ndodhur në këtë gjendje, shokët e transportuan duke e vendosur në një barelë të përgatitur me mjete rrethanore. Pas tri ditësh udhëtim me disa ndalesa, Azem Galica vdiq në duart e bashkëluftëtarëve të vet dhe të bashkëshortes Shota. Ishte ora 06:00, 25 korrik, kur teksa jepte amanetet e fundit ai dha shpirt.

AZEMI DHE SERBIA

Për të kuptuar më mirë se kush ishte dhe sa peshë kishte Azem Galica, mjafton të sjellim një deklaratë të deputetit të Kosovës, Jovan Magovçeviçqi në Parlamentin e Beogradit, më 11 tetor 1923, i irrituar ndaj veprimtarisë së tij: ”Zotërinj, unë i kam dy vota, një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Për luftën në Arbërinë e Vogël folën qarqet e mëdha politike e diplomatike të Evropës. Shtypi i asaj kohe e kishte lëndë të parë këtë betejë: “Në luftën dëshprimtare që u ba, u plaguen 150 shqiptarë. Disa nga këta kanë ardhë për shpëtim në Krumë… Sigurisht Azemi nuk dihet se ku ndodhet”.

Vlen të përmendet se në këto momente doli si kushtrim thirrja që duket sikur kumbon edhe sot: “Prite Azem Galicën”!

Load More Related Articles
Load More By Vicianapress
Load More In Kulturë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Në tërë Kosovën vetëm 34 pacientë me COVID-19 të hospitalizuar

1 orë Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale po trajtohen 34 pac…