

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherazi kandidat i kësaj partie për deputet, Besian Mustafa në një intervistë për “Përballje ditore” më gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka folur për takimet e fundit LDK-LVV dhe krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Mustafa ka thënë se pas gjashtë takimeve të grupeve punuese LDK-LVV, kanë përfaruar programet në 95 për qind.
“LDK dhe LVV patën vendosur qysh kah fundi i tetorit që të fillojnë takimet e grupeve punuese, për përafrimin e dy programeve të dy partive, drejt një programi të përbashkët qeverisës. Pra, me një ide që të kemi një koalicion qeverisës LDK-LVV. Kemi edhe deklaratat e liderëve që pas certifikimit të rezultateve do të kemi edhe takimin përfundimtar të liderëve të dy partive Kurti-Mustafa, dhe të kemi nënshkrimin e marrëveshjes. Ne kemi mbajtur gjashtë takime të grupeve punuese ku kemi harmonizuar programet tona në sferat kryesore, i kemi përafruar programet deri në 95 për qind. Kanë mbetur edhe tri apo katër pika që janë të nivelit politik, që duhet vendosur në nivel politik”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa gjatë intervistës për emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi (Foto: Ridvan Slivova)
Mustafa ka thënë se marrëveshja mes LDK-së dhe LVV-së, do të jetë marrëveshje më e detajuar në mes dy partive politike për bashkëqeverisje.
“Dokumenti që është prodhuar deri tani ka shumë faqe, dhe është i detajuar. Liderët Kurti dhe Mustafa do të kenë para vetës një marrëveshje të detajuar në nivelin teknik”, ka thënë ai.
Mustafa komentoi edhe vendimin e PZAP-it, për largimin e votave të ardhura nga Serbia, e që rrjedhimisht i bie që në Kuvend mund të jetë edhe koalicioni NISMA-AKR- PD.