Home Lajme Analistët: Mosmarrëveshjet LVV e LDK t’i thonë në takime, të ndalet kjo fushatë në rrjete sociale

Analistët: Mosmarrëveshjet LVV e LDK t’i thonë në takime, të ndalet kjo fushatë në rrjete sociale

11 min read
0
0
54
kujtesa

Grupet punuese të dy partive, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës, pas takimeve për të harmonizuar programet për bashkëqeverisje, çdoherë po theksojnë se janë duke rënë dakord pothuajse në të gjitha çështjet.

Mirëpo, një gjë e tillë duket se nuk po ndodh edhe në strukturat udhëheqëse të këtyre dy partive. Kjo pasi që në rrjetet sociale po thumbohen me deklarata nga më të ndryshmet.

E fundit ishte deklarata e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili në Facebook kishte shkruar se zgjedhja e kryeministrit duhet të kalojë përmes zyrave të kësaj partie.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku nënkryetari i saj, Besnik Bislimi, që është edhe anëtar i grupit punues të LVV në bisedimet me LDK-në, i ka cilësuar të parëndësishme deklaratat e Lutfi Hazirit

Bislimi theksoi se Haziri është i lirë ta japë mendimin e tij, mirëpo ai nuk ka peshë në bisedimet që po i zhvillojnë këto dy parti.

Për njohësit e çështjeve politike, përlarja e zyrtarëve të këtyre partive po shihet si një lloj papjekurie.

Profesori dhe analisti Milazim Krasniqi, që ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se të dy partitë duhet të tregojnë seriozitet dhe të finalizojnë marrëveshjen qeverisëse.

“Rezultati zgjedhor i ka hapur rrugë Vetëvendosjes dhe LDK-së që të formojnë qeverinë dhe institucionet. Bindja ime është që ato duhet të punojnë në pajtim me mandatin që kanë në dispozicion dhe të punojnë sa më shpejt që të jetë e mundur që ta finalizojnë një marrëveshje qeverisëse. Por, për ta realizuar këtë, ata fillimisht duhet të tregojnë seriozitet më të madh në komunikimin e ndërsjellë”, ka thënë duke komentuar edhe deklaratën e nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri.

“Lidhur me atë që ka thënë Lutfi Haziri, është e vërtetë sepse nuk mund të zgjidhet kryeministri pa marrëveshje me LDK-në. Ajo është shprehje më shumë figurative por shpreh të vërtetën. Nuk ka asgjë fyese dhe asgjë megalomane në këtë konstatim, sepse VV ka vetëm një apo dy deputet më shumë se LDK por të pamjaftueshëm për të formuar qeveri”, ka theksuar ai.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se liderët e kanë për detyrë t’i kontrollojnë aktivistët e tyre dhe të ndalin ëktë fushatë fyese.

“Pra, do të duhej t’i ndalonin ‘mangupat’ në radhët e veta që të mos vazhdojnë fyerjet dhe etiketimet në rrjete sociale dhe në media, sepse politika dallon nga të folurit në rrjete sociale. Nuk ka kuptim që dikujt t’i kërkosh bashkëqeverisje dhe në të njëjtën kohë ta fyesh me fjalë të rënda siç po bëjnë disa nga eksponentët veçmas të LVV-së ndaj zyrtarëve të lartë të LDK-së, si Lutfi Hazirit, dhe Isa Mustafës. Ta ndalohet kjo fushatë dhe negociatat të shpejtohen sepse sa më shumë që të zgjatet kjo, aq më tepër mund të ketë frustrime dhe situatë që del nga kontrolli. Ekziston një mosbesim i madh në të kaluarën ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, dhe ai mosbesim nxjerr krye edhe në komunikimet e fundit. Por, liderët e kanë për detyrë t’i mbajnë nën kontroll aktivistët e tyre dhe të mos lejojnë të prishet procesi”, është shprehur ai.

Ndërsa sipas analistit politik, Ramush Tahiri, nuk është e nevojshme që në opinion të shprehen dallimet.

“Këta po përlahen në opinion dhe kjo po tregon papjekuri sepse këto marrëveshje duhet të bëhen në mënyrë të hapur dhe të dalin në Kuvend. Ky program do të miratohet nga Kuvendi dhe duhet të ketë synim që ta votojnë edhe partitë tjera jo vetëm këto të koalicionit. Nuk ka nevojë tani të dalin në opinion të përlahen dhe të shprehin dallimet. Kjo mendjemadhësi është e këtyre dy partive njërës më shumë se tjetra dhe për mua është e padrejtë sepse të dy partitë duhet të bisedojnë që ta bëjnë një koalicion qeverisës, i cili po koncentrohet në harmonizim të programeve partiake për t’i shndërruar në program qeverisës dhe ndarjen e posteve të qeverisë. Janë pajtuar që qeveria të zvogëlohet, t’i ketë vetëm 12 ministra ku janë dy të minoriteteve ndërsa 10 iu bien këtyre t’i ndajnë”, ka thënë ai në një deklaratë dhënë Telegrafit.

Tahiri ka theksuar se të dy partitë janë zotuar se do të angazhohen ta qeverisin vendin ndërsa sipas tij tani po angazhohen për pushtet.

“Këto dy parti janë angazhuar se do ta qeverisin vendin, ndërsa nga deklarimet e tyre po del se po angazhohen për pushtet. Tani po e përmendin edhe ndarjen e postit të Presidentit duke u deklaruar që kujt i takon me Kushtetutë. Këta deri dje e kanë kritikuar Hashim Thaçin që nuk është i paanshëm, është partiak, a këta vetë po duan që Presidentin ta bëjnë partiak. Po mundohen t’ia hedhin popullit për atë që vetë e kanë kritikuar. Do të ishte e ulët që tani të merren me postin e Presidentit, dhe është e pamoralshme politikisht sepse e kanë për obligim që të bashkëpunojnë me këtë President ta dërgojnë vendin përpara. Janë format që duhet të bashkëpunojnë në politikën e jashtme dhe në dialog”, është shprehur ai.

Ndërsa sot pritet të mbahet takimi i radhës mes grupeve punuese të Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në përpjekje për të harmonizuar programet për qeverisjen e ardhshme të vendit.

Ky do të jetë takimi i pestë mes këtyre grupeve punuese, ndërsa në të fundit thanë se janë pajtuar në masë të madhe për çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit./Telegrafi/

Load More Related Articles
Load More By Vicianapress
Load More In Lajme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Inter – Liverpool: Statistika, analizë, formacionet e mundshme dhe parashikim

5 min Interi dhe Liverpooli do të luajnë mes vete në ndeshjen e zjarrtë të vlefshme për fa…