

Komisioni i Ankesave, që vepron në kuadër të ndërmarrjes publike Telekom, të premten e kaluar, ka marrë vendim për rritjen e gradës së rreth 20 punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Rritja e gradës nënkupton edhe rritje të pagës.
“Koha Ditore” shkruan se për shkak të planit të riorganizimit të ndërmarrjes, që nënkupton edhe ulje të pagave, Komisioni i Ankesave ka marrë vendim që t’u ngrihen pagat një pjese të zyrtarëve në mënyrë që kur të bëhet riorganizimi atyre t’u mbetet paga e njëjtë si deri më tani.
Vendimi për ndryshimin e gradave ishte marrë të premten e javës së kaluar, por 72 orë më pas Telekomi ka ndryshuar mendje dhe e ka tërhequr vendimin.
Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë për gazetën se ngritje e gradës ishte bërë për një “numër të vogël të punëtorëve” nga Komisioni i Ankesave.
Istrefi ka thënë se ditën që është marrë ky vendim nuk ka qenë në Kosovë, por pas kthimit të tij është ndaluar zbatimi i vendimit.