Home Lajme Stinori nis me tri skuadra favorite që sot kërkojnë pikët e para

Stinori nis me tri skuadra favorite që sot kërkojnë pikët e para

11 min read
0
0
52
kujtesa

Dy skuadrat e vlerësuara si pretendentet kryesore për titull të kampionit, Feronikeli dhe Prishtina, luajnë në hapje të edicionit të ri të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Edicioni 2019/20 fillon të shtunën (sot), kur në program janë tri ndeshjet e para. Tri ndeshjet e tjera janë të dielën.

Kampioni në fuqi, Feronikeli, mbrojtjen e titullit e nis ndaj rivalit rajonal, Drenicës së Skënderajt. Dy klubet kanë raporte të afërta në vitet e fundit, por për edicionin e ri edhe Drenica ka pretendimet e saj. Ndeshja luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas (17:00). Në kohë të njëjtë nis takimi ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës. Derbi prishtinas zhvillohet në stadiumin e Flamurtarit.

Llapi e Vushtrria takohen në ndeshjen tjetër të së shtunës, për një fillim të furishëm të edicionit të ri në kampionatin e Kosovës në futboll. Llapi po ashtu llogaritet mes pesë skuadrave pretendente për titull, e në cilin grup janë edhe Drita e Gjilani.

Në të vërtetë parashikohet që ky të jetë edicioni më interesant i Superligës së Kosovës në futboll deri më tash. Ka disa faktorë që e mbështesin këtë parashikim. Për herë të parë tri skuadra kosovare do të dalin në Evropë, dy nga kampionati e një nga gara për Kupë. Deri më tani ishin vetëm dy skuadra, kampioni dhe fituesi i Kupës. Nga edicioni 2020/21, Superliga do të ketë vetëm dhjetë skuadra e jo 12 si deri më tash. Për të bërë këtë të mundur, në edicionin që nis të shtunën (sot), plot katër skuadra do të largohen nga Superliga. Kjo vlerësohet se do të forcojë shumë garën në elitë dhe do të zvogëlojë maksimalisht mundësinë për kurdisje të rezultateve. Të hyrat në futbollin kosovar janë gjithnjë e më të mëdha, futbollistët paguhen gjithnjë e më shumë dhe tashmë klubet po rivalizojnë fuqishëm klubet më të mëdha në Shqipëri e Maqedoni për pagat që ofrojnë. Kjo ka bërë që lojtarë me emër, sidomos nga Shqipëria, të zgjedhin klubet kosovare për të vazhduar karrierën. Janë dhjetëra lojtarë nga Shqipëria që janë bashkuar me klubet kosovare këtë verë. Klubet ishin shumë aktive në afatin kalimtar, duke bërë mbi 100 transferime. Ka pasur skuadra që kanë bërë deri afro 20 afrime të reja. Lëvizjet e shumta kanë vazhduar deri të premten, dhe kjo bën, ndër të tjera, që skuadrat të paraqiten me fytyrë krejt tjetër në krahasim me edicionin e kaluar. Madje pritet të ketë ndonjë skuadër që do të luajë me shumicën e lojtarëve të rinj, krahasuar me edicionin e kaluar.

Edicionin e kaluar Feronikeli i Drenasit fitoi garën për titull me Prishtinën, garë që u zhvillua deri në fund. Më pas Feronikeli fitoi edhe Kupën dhe kështu mori me vete Prishtinën në garat ndërkombëtare. Në debutim, Feronikeli kaloi me sukses raundin parakualifikues të Championsit dhe më pas u ndal në raundin e parë kualifikues. U ndal edhe në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Ky bilanc nuk ishte i mjaftueshëm për drejtuesit e klubit nga Drenasi që u ndanë me trajnerin Zekirija Ramadani dhe në vend të tij emëruan malaziasin Dejan Vukiçeviq. Vukiçeviq debutoi në një miqësore me Milanin, të luajtur fundjavën e kaluar në Prishtinë, e që u përcoll nga një numër jo i pritur i shikuesve.

Pas sfidave të shumta ndërkombëtare, Feronikeli i kthehet garës në kampionatin e Kosovës, me synim të qartë për të mbrojtur titullin.

“Kemi respekt maksimal për ekipin e Drenicës. Mirëpo qëllimi ynë është që të mbrojmë titullin e kampionit. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe shpresoj që nesër do të dalim me fitore. Fillimi natyrisht që është i rëndësishëm”, ka thënë Besmir Bojku, mesfushor i Feronikelit. Ai është prej pak përforcimeve që ka bërë klubi nga Drenasi për edicionin e ri. Por Feronikeli ka mbajtur bazën e lojtarëve që morën dy trofetë edicionin e kaluar.

Edhe Prishtina ka mbajtur një pjesë të mirë të lojtarëve, por po ashtu ka marrë numër të konsiderueshëm përforcimesh. Prishtina herët është ndalur në Evropë, në parakualifikimet e Ligës së Evropës. Pësoi nga një skuadër e Gjibraltarit, për një eliminim të vlerësuar të turpshëm. Prishtina gjatë është në pritje të titullit dhe në klub shpresojnë se ky do të jetë edicioni i suksesit.

“Është ndeshja e parë dhe gjithmonë ndeshjet e para mund të jenë të vështira. Mendoj që jemi gati për fillimin e kampionatit dhe shpresoj të fillojmë me tri pikë. Mirëpo ia lëmë fushës, na pret ndeshje e vështirë kundër rivalit të qytetit. Duhet të japim maksimumin për të arritur tri pikë”, ka thënë mbrojtësi Armend Thaçi, që do të jetë kapiten i ri i Prishtinës pas pensionimit të Armend Dallkut.

Flamurtari është prej skuadrave të përforcuara shumë, ndërsa synon të ndalë që në fillim njërën prej pretendenteve për titull. Ish-futbollisti i njohur nga Maqedonia, Artim Shaqiri, tashmë është trajner i Flamurtarit.

“Kemi punuar shumë me trajnerin e ri dhe jemi të përgatitur për ndeshjen e parë. Ekipi është komplet i ri, ndërsa mungesa nuk kemi. Fusha normal që është një armë jona, pasi është ndryshe të luash në shtëpi. Do të hyjmë për të marrë maksimumin, ndërsa çka sjell ndeshja, mbetet të shihet. Mendoj që shumica e skuadrave janë në nivel të përafërt në edicionin e ri”, ka thënë kapiteni i Flamurtarit, Veton Kabashi./KOHANET/

E shtunë (17:00)

Feronikeli – Drenica

(Arbitra: M. Bejtullahu, F. Jashari, L. Muhadri, D. Çaka)

Flamurtari – Prishtina

(Arbitra: S. Isufi, E. Baliqi, D. Preniqi, Sh. Murtezi)

Llapi – Vushtrria

(Arbitra: A. Shala, M. Berisha, I. Kabashi, K. Vula)

E diel (17:00)

Drita – Ferizaj

(Arbitra: F. Tahiri, B. Këpuska, B. Morina, T. Maloku)

Trepça ’89 – Gjilani

(Arbitra: B. Kasumi, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, G. Shala)

Dukagjini – Ballkani

(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, G. Hyseni, V. Kastrati)

Load More Related Articles
Load More By Vicianapress
Load More In Lajme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Inter – Liverpool: Statistika, analizë, formacionet e mundshme dhe parashikim

5 min Interi dhe Liverpooli do të luajnë mes vete në ndeshjen e zjarrtë të vlefshme për fa…